Një vit e tetë muaj burg për pronarin e “Besa Trans”, Bekim Haxhiu, si dhe gjobë në të holla në vlerë prej 800 mijë denarëve, por edhe ndalesë katërvjeçare për kryerjen e transportit ndërkombëtar, është epilogu nga gjykimi për aksidentin tragjik në Bullgari, që u gjykua në bazë të veprës penale “falsifikim i dokumenteve”.
Gjykatësi Ivica Stefanovski, i cili e shpalli aktvendimin në Gjykatën Penale, tha se të akuzuarit Bekim Haxhiu dhe kompania “Besa Trans”, janë fajtorë për shkak se i akuzuari, si menaxher i kompanisë “Besa Trans”, disa herë ka shfrytëzuar dokument të rrejshëm, certifikatë nga licenca për kryerje të transportit publik në destinacione ndërkombëtare, e e cila fare nuk ishte dhënë nga Ministria për Transport dhe Lidhje për atë autobus.
Mirëpo avokati, Asmir Alispahiq, mohon të ekzistojë një dokument i tillë i falsifikuar.
“Elementi thelbësor për këtë vepër penale është ekzistimi i një dokumenti të falsifikuar dhe e përdorur si e tillë. Në rastin konkret, as që është përpunuar, as që është përdorur e as që ekziston. Kështu që, unë jam i bindur, edhe si jurist por edhe si avokat i Bekim Haxhiu, është se ky aktvendim nuk mund të mbijetojë ashtu siç është shqiptuar në rastin konkret”, tha Asmir Alispahiq – avokat i të akuzuarve.
Për këtë shkak, sipas Alispahiq, dënimi është shumë i lartë.
“Nëse bëjmë një krahasim në pjesën e vendimeve dhe aktvendimeve tjera gjyqësore të këtij lloji, edhe pse dënimi është i paraparë nga 1 deri në 5 vite burg, konsideroj se në rastin konkret, dënimi është llogaritur tepër i lartë”, tha Alispahiq.
E prokurori Vlladimir Milloshevski nuk tregoi nëse është i kënaqur me dënimin por përmendi se gjykata në tërësi ka pranuar akuzat e dorëzuara nga Prokuroria. E konfirmon që kompania nuk ka poseduar fare licencë për autobusin që u dogj.
“Pikërisht ashtu, Prokuroria në akuzë atë e thotë. Se Ministria për Transport dhe Lidhje fare nuk ka dhënë certifikatë nga licenca për autobusin konkret. As nuk është dorëzuar kërkesë, e as që është dhënë. Kjo do të thotë se autobusi, siç është shkruar në akuzë, siç kumtoi edhe gjykata sot në shqiptimin e aktvendimit, se ka treguar para organeve kompetente certifikatë nga licenca, e një të tillë për atë autobus fare nuk është dhënë nga organi kompetent”, tha Vlladimir Milloshevski – prokuror.
Përndryshe, nga aksidenti dhe djegia e autobusit të Besa Trans në Bullgari, gjithsej jetën e humbën 45 persona, mes të cilëve 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan me lëndime.