Koalicioni i OJQ-ve, “Demokracia në Veprim” (DnV), i është drejtuar me një letër të hapur partive politike në mënyrë që të intensifikojnë përpjekjet për përfshirje më të madhe të grave në trupat menaxhuese të zgjedhjeve, raporton Gazeta “Enigma”.
DnV thekson se përgjatë proceseve të kaluara zgjedhore, përfshirja e grave në zgjedhje, me theks në trupa menaxhuese të zgjedhjeve ka qenë minimale.
“Ne i çmojmë veprimet që ju keni ndërmarrë në të kaluarën për ta adresuar këtë problematikë dhe ju rikujtojmë që në vitin 2015 ju keni nënshkruar një deklaratë për rritjen e pjesëmarrjes së grave në këto trupa, duke u zotuar mes tjerash që të propozoni gra në të gjitha pozitat e trupave menaxhuese të zgjedhjeve në nivel prej të paktën 40%. Sidoqoftë, ky zotim nuk është përmbushur në asnjë nga proceset zgjedhore të organizuara që nga viti 2015”.DnV thekson se në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017, gratë përbënin vetëm 10% të përbërjes së KKZ-ve, 29% të komisionerëve në ditën e zgjedhjeve, si dhe vetëm 14% të kryesuesve të vendvotimeve.
“Përderisa afati zyrtar për krijimin e vendvotimeve fillon më 15 shtator, ne jemi të sigurt që ju tashmë keni filluar procesin e rekrutimit të anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve.Kjo periudhë është një mundësi e shkëlqyer për ju, qënë procesin e përpilimit të listave të komisionerëve, në përputhje me parimin e barazisë gjinore dhe në respektim të Deklaratës së nënshkruar nga vet ju, të propozoni numër të barabartë të komisionerëve nga të dy gjinitë, apo minimalisht në nivelin prej 40%”, thuhet në këtë letër.DnV thekson se gratë duhet të zënë vend meritor e të barabartë edhe në kuadër të propozimeve për kryesues të vendvotimeve./Gazeta Enigma.