“Serbia po ndërhyn në zgjedhjet e Kosovës”

“Serbia po ndërhyn në zgjedhjet e Kosovës”

Në përmbyllje të javës së dytë të fushatës elektorale, koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” i bëri vlerësim mbarëvajtjes së procesit. Si shqetësimin kryesor e numëroi vendimin e Qeverisë së Serbisë për t’ua ndarë nga 170 euro serbëve në Kosovë, e kjo është vlerësuar nga DnV-ja me ndikim te bindjet e tyre politike për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që të ndajë mjete financiare për serbët e Kosovës, në mënyrë që të ndikojë në bindjet e tyre politike për zgjedhjet e 9 shkurtit, kanë thënë përfaqësues të koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV).

Gjatë prezantimit të raportit mbi dy javët e fushatës elektorale, Violeta Haxholli nga ky koalicion, e ka kualifikuar veprimin e Serbisë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e Kosovës.

“Një nga zhvillimet kryesore të kësaj jave është vendimi i Qeverisë së Serbisë për të dhënë nga 170 euro për rreth 5 mijë serbë në Kosovë, i cili në vlerësimin tonë përbën një ndërhyje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor të Kosovës dhe paraqet një përpjekje të hapur për të influencuar vullnetin qytetar të komunitetit serb, duke përdorur ndihmën financiare si mjet për të ndikuar në përcaktimin e votuesve”, ka thënë Haxholli.

Lista Serbe është subjekti politik që mbështetet nga Beogradi zyrtar. Kjo parti është certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhje, ani se gjatë kohës sa ka mbajtur pozitën e nënkryetarit të këtij subjekti politik, Milan Radoiçiq ka organizuar dhe udhëhequr sulmin terrorist në Banjskë, e për të cilin e ka marrë edhe vet përgjegjësinë.

Raporti i DnV-së nuk është fokusuar vetëm tek ndikimi nga Serbia.

Në të është theksuar se edhe në javën e dytë të fushatës ka qenë e pranishme në masë të madhe gjuha e urrejtjes dhe ajo përçmuese nëpër tubime elektorale e rrjete sociale.

“Në total, në këto dy javë, këtë lloje të përdorimit të gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes e kemi hasur gjithsej në 62 aktivitete apo në rreth 20 për qind të numrit të përgjithshëm të aktiviteteve të organizuara nga subjektet politike”, ka thënë Haxholli.

Këtë e ka mbështetur edhe aktivistja tjetër e angazhuar në këtë koalicion organizatash joqeveritare – Rrezarta Delibashzade-Krasniqi.

“Përmbajtjet kanë pasur kryesisht gjuhë denigruese dhe të urrejtjes veçanërisht në videot që ndahen prej fushatës e cila zhvillohet në vend dhe shpërndahet pastaj në rrjete sociale… Deri më tani në dy javët e para të monitorimit të kësaj fushate kemi identifikuar 250 raste të tilla, nga këto raste 22 për qind e tyre kanë pasur target gratë që janë kandidate të këtyre subjekteve politike”, ka thënë ajo.

Demokracia në Veprim, brenda dy javësh, ka identifikuar 14 raste të shfrytëzimit të resurseve e objekteve publike nga partitë politike për qëllime të fushatës, pa marrë leje për këtë nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.

Koalicioni ka numëruar edhe temat më të trajtuara nga partitë në fushatë. Sipas raportit, del se LVV-ja temë qendrore vazhdon ta ketë veriun, e partitë aktualisht në opozitë kanë përmendur kryesisht ekonominë, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale.

Related Articles