Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku ndaj grave ushtrohet dhunë fizike e psikike në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur të shtunën në Lagjen e Doktorëve në Mitrovicë, ku një person ka kërcënuar bashkëshorten dhe vajzën e tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në orët e pasdites, kur i dyshuari L.B., fillimisht ka marrë vajzën dhe është larguar nga shtëpia dhe posa është kthyer i ka kanosur.
Sipas informacioneve të para, i njëjti i ka kërcënuar me vrasje, duke i shkaktuar shqetësim gruas së tij, e cila edhe është frikësuar se do ta pësojë ajo dhe vajza.
Përballë kësaj situate, viktima u detyrua që të kërkojnë ndihmën e Policisë, duke e raportuar rastin.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Ndaj burrit që po dyshohet për dhunë në familje, Prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.