Presidenti i “Republika Srpska”, Milorad Dodik, ka thënë në një konferencë për media se Bosnja dhe Hercegovina nuk do ta mbështesë një marrëveshje nga procesi i Berlinit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Bëhet fjalë për një marrëveshje ndërmjet dy vendeve, e cila ka të bëjë me kalimin e kufijve me letërnjoftime.
“Kurti flet negativisht për RS-në dhe tani pret që ne të votojmë që ata të hyjnë në Bosnje dhe Hercegovinë me letërnjoftime…”, ka thënë fillimisht Dodik.
Dhe sipas tij, pavarësisht se ka qenë diçka e rënë dakord në kuadër të procesit të Berlinit, kjo nuk do të ndodhë.
“Nuk do të ndodhë që të japim asnjë nënshkrim për funksionalizimin e mëtejshëm të atyre dokumenteve”, citohet të ketë thënë Dodik, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan (03.11.2022) në Berlin tri marrëveshjet e mobilitetit.
Ato parashikojnë lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti, njohjen e diplomave dhe kualifikimeve për tri profesione: mjekët, arkitektët dhe dentistët.
Nënshkrimi u bë nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët në samitin e Berlinit konsiderohen si të barabartë.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz kishte lavdëruar arritjen e tri marrëveshjeve të mobilitetit, që u nënshkrua në kuadër të samitit, duke i quajtur ato “tre hapa të mëdhenj” dhe “të guximshëm” që do t’ua bëjnë komunikimin më të lehtë njerëzve në rajon.
Procesi i Berlinit është iniciuar nga kancelarja Angela Merkel, në vitin 2014.