Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, sot ndodhet në Beograd, që do të thotë se ai përsëri ka kaluar kufirin shtetëror, megjithëse ndaj tij është lëshuar një urdhër-arresti në mes të muajit mars.
Dodik ka ardhur në tubimin “Nuk e japim Serbinë” për të mbështetur presidentin e këtij shteti, Aleksandar Vuçiq, shkruan klix.ba.
Në mëngjes, ai ishte i ftuar në televizionin e regjimit Informer TV, së bashku me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vulin.
Kur u pyet nga drejtuesi i televizionit, Dragan J. Vuçiqeviq, se sa njerëz parashikon të jenë sot në Beograd, ai tha se “është e vështirë për mua të vlerësoj, por po vijnë shumë njerëz nga RS-ja. Me shpenzimet e tyre. Besoj se do të jenë disa qindra mijëra vetë. Kjo nuk ka të bëjë me Vuçiqin, me politikën… kjo është çështje e popullit serb”.
Më vonë, gjatë bisedës me Vulinin, ai deklaroi se “Bosnja dhe Hercegovina ka synime të këqija për serbët”.
Ndryshe, mbështetësit e pushtetit në Serbi kanë nisur tubimin “Ne nuk heqim dorë nga Serbia” që është thirrur nga presidenti serb, Vuçiq.
Tubimi treditor në Beograd nisi në kulmin e protestave studentore që po mbahen tash e disa muaj në Serbi.
Përveç Vuçiqit, në tubim ishin të pranishëm edhe kryeministri në largim, Millosh Vuçeviq, dhe ministri në largim i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq dhe figura të tjera politike.