Dodiku shpallë referendum në entitetin serb të Bosnjës

Dodiku shpallë referendum në entitetin serb të Bosnjës

Millorad Dodik – të cilit iu hoq mandati si president i Republikës Sërpska pasi u dënua nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës – njoftoi të mërkurën se entiteti serb i Bosnjës do të mbajë referendum, në të cilin qytetarët do të votojnë nëse do ta pranojnë apo jo vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjës (KQZ).

Dodiku e bëri këtë njoftim në një konferencë për shtyp në Banjallukë, pak orë pasi Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës e miratoi vendimin për t’ia hequr atij mandatin e presidentit të entitetit serb, për shkak të dënimit nga Gjykata e Bosnjës.

Ai tha se Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska do të vendosë në periudhën e ardhshme për thirrjen e një referendumi mbi pyetjen “nëse presidenti i Republikës Sërpska duhet të pranojë apo jo vendime që dëmtojnë rendin kushtetues të këtij entiteti”.

“Nëse thonë po, kjo do të nënshkruajë urdhrin e vdekjes për Republikën Sërpska. Nëse jo, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë luftën politike pavarësisht pasojave personale”, tha Dodik.

Ai theksoi se nuk e pranon vendimin e KQZ-së, duke theksuar se ai shkel kushtetutat e Bosnjës dhe atë të Republikës Sërpska.

“Vendimi për ndërprerjen e mandatit është jokushtetues dhe nuk mund të ketë efekt ligjor. KQZ-ja ka një rol për të konfirmuar mandatin, por nuk mund ta japë atë. Nëse nuk e jep, nuk mund ta revokojë mandatin”, tha ai.

Heqja e mandatit vjen pasi Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e ka dënuar me vendim të formës së prerë Dodikun me një vit burg, si dhe me ndalim të ushtrimit të kësaj dhe funksioneve të tjera politike në vend për gjashtë vitet e ardhshme, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje.

Mandati do të hiqet Dodikut pas skadimit të afatit për ankesë.

Ankesë për këtë vendim mund dorëzohet në Departamentin e Apelit të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës brenda dy ditëve nga dita e pranimit të vendimit, përmes Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnje dhe Hercegovinës, në përputhje me Ligjin Zgjedhor të Bosnjës.

Pas kësaj pritet të shpallen zgjedhjet e parakohshme për presidentin e entitetit Republika Sërpska, të cilat duhet të mbahen brenda 90 ditësh.

Zgjedhjet e rregullta të përgjithshme janë planifikuar për tetor të vitit 2026.

Sipas Ligjit Zgjedhor të Bosnje e Hercegovinës, një zyrtari të zgjedhur i përfundon mandati “ditën kur një aktgjykim bëhet në formë të prerë, përmes së cilit është dënuar me burgim prej gjashtë muajsh ose më shumë!.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Bosnjës, Dodik nuk do të ketë të drejtë të garojë për asnjë funksion politik deri në përfundim të ndalesës gjashtëvjeçare.

Dodik, si dhe partia e tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), e kanë kundërshtuar aktgjykimin dhe kanë ftuar opozitën për të formuar një “qeveri të unitetit kombëtar” në Republikën Sërpska, si dhe për veprim të përbashkët në institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës deri në kthimin e statusit të RS-së në “kornizat e garantuara kushtetuese”.

Mbrojtja e Dodikut ka paralajmëruar apel në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës, me qëllim që të kontestojë aktgjykimin.

Edhe Qeveria e RS-së ka njoftuar se nuk e pranojnë vendimin e shkallës së dytë të gjyqësorit në Bosnje.

Nga ky ekzekutiv e kanë vlerësuar vendimin si “juridikisht të pavlefshëm, jokushtetues dhe të motivuar politikisht”.

Në një sërë përfundimesh të miratuara në një seancë të jashtëzakonshme në Banjallukë, të martën më 5 gusht, ndër të tjera u tha se “Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës janë jokushtetuese dhe kanë zhvilluar një proces të montuar politikisht kundër presidentit”, i cili, sipas tyre, ka vepruar vetëm në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore.

Dodik u shpall fajtor për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

Përmes atyre ligjeve, organet legjislative në RS ishin përpjekur të pengonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të Lartë në territorin e këtij entiteti të Bosnjës.

I akuzuari tjetër në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Milosh Llukiq, është liruar nga akuzat.

Related Articles