Dogana e Kosovës ka njoftuar se vendi ynë ka hequr tarifën prej 10 për qind për mallrat me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një postimi në Facebook Dogana e Kosovës ka dhënë disa sqarime se çfarë duhet kriteresh duhet të plotësohen, në mënyrë që mallrat të importohen pa pagesë të tarifës doganore.
“Ky vendim ndonëse përfaqëson një masë të njëanshme nga ana e Republikës së Kosovës, i cili qëllim primar ka lehtësimin e tregtisë me përfitime konkrete si për bizneset ashtu dhe për konsumatorët e vendit, është i një rëndësie të veçantë edhe sa i përket forcimit dhe avancimit të marrëdhënieve në sferën tregtare dhe ekonomike në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se vendimi për aplikimin e tatimit doganor me normë zero për mallrat e importuara me origjinë nga SHBA është i bazuar në Ligjin Nr. 04/L-163 dhe në Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, andaj mbi këtë bazë, mallrat të cilat importohen nga SHBA e të cilat plotësojnë kriteret e origjinës preferenciale, që nga data e hyrjes në fuqi të vendimit dhe publikimit të tij në gazetën zyrtare 01.08.2025, mund të importohen në territorin doganor të Republikës së Kosovës pa pagesë të tarifës doganore.
Në mënyrë qe këto mallra të përfitojnë nga ky trajtim favorizues, të njëjtat me rastin e importit duhet të shoqërohen me:
- Certifikatë të vlefshme të origjinës preferenciale të lëshuar nga autoritetet amerikane
- Deklarata për origjinën në faturë, në përputhje me ligjin në fuqi të të dyja vendeve.
“Të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga data 01.08.2025, të cilat përmbushin kriteret për t’u trajtuar si mallra me origjinë preferenciale, por që në momentin e importit nuk kanë përfituar këtë trajtim, do t’u nënshtrohen procedurave për rimbursim të detyrimeve doganore, në përputhje me dispozitat në fuqi”, bëhet e ditur në komunikatë. /Gazeta Enigma/