Dogana e Kosovës ka kryer bastisje në pesë depo të bizneseve në rajonin e Prishtinës, ku ka zbuluar mallra të dyshuara për kontrabandë në vlerë rreth 800 mijë euro.
Në njoftimin e Doganës thuhet se gjatë kontrolleve është gjetur një sasi e konsiderueshme e mbathjeve sportive me marka të ndryshme të mbrojtura, si dhe një sasi e veshjeve nga tekstili.
“Malli i identifikuar dyshohet se nuk posedon dokumentacion përkatës për origjinën dhe zhdoganimin e rregullt në Republikën e Kosovës. Vlera e përgjithshme e mallit të sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 800,000 euro”, theksohet në njoftim.
Lidhur me rastin po intervistohen disa persona, derisa malli është konfiskuar.
“Pas evidentimit të rastit është njoftuar Prokurori Kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale. Me autorizimin e tij, personat e dyshuar lidhur me pronësinë e mallit janë duke u intervistuar, ndërsa malli i gjetur është duke u inventarizuar dhe konfiskuar, për t’u transportuar më pas në depot e Doganës së Kosovës. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
