Dogana e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se është arritur një rekord i të hyrave, ku deri me sot janë mbledhur 1 miliard euro.
Siç njofton Dogana, është tejkaluar viti i kaluar me 71 milionë euro apo 7.62%. Në komunikatë theksohet se, suksese rreth kësaj është bashkëpunimi me institucionet relevante, komunitetin e biznesit si dhe publikun në përgjithësi.
Komunikata e plotë:
Dogana e Kosovës arrin edhe një rekord në të hyra, mbledh 1 miliard euro për buxhetin e Republikës së Kosovës.
Prishtinë 22 gusht 2023 Dogana e Kosovës deri më sot ka arritur të mbledh 1 miliard euro, duke tejkaluar vitin e kaluar me 71 milion Euro apo 7.62%. Duke ditur se edhe viti i kaluar ka pasur trend shumë pozitiv të rritjes dhe njëkohësisht është rritur efekti kundërveprues i thellimit të shkallëve të marrëveshjeve të tregtisë së lirë e në anën tjetër nuk ka ndryshim në politika fiskale, tejkalimi me këtë krahasim dëshmon qartazi vijimësinë e përkushtimit të pashembullt të Doganës së Kosovës në luftimin e ekonomisë jo formale dhe promovimin e praktikave që përkrahin konkurrencën fer dhe të ndershme. Suksese të theksuara ne këto përpjekje janë rezultat edhe i bashkëpunimit me institucionet relevante, komunitetin e biznesit dhe publikun në përgjithësi, andaj ju jemi shumë mirënjohës për përpjekjet e përbashkëta që kanë rezultuar me këto suksese.
Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.