Ish-nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka njoftuar se ka hapur në Tiranë shkollën e parë të lartë të kodimit me mësim jotradicional në rajon.
Përmes një postimi në Facebook, Sahatçiu tha se këtë projekt e kishte nisur në Prishtinë derisa ishte nënkryetare, por thotë se ka mbetur pezull padrejtësisht.
Ajo tha se ndërtimi i kësaj shkolle në Tiranë është vazhdim i një misioni që thotë ta ketë nisur dikur.
“Në Prishtinë, një prej kapitujve më domethanës të udhëtimit dyvjeçar në qeverisje ka qenë angazhimi me gjithë zemër me e mundësu hapjen e shkollës 42 në Prishtinë – një projekt që, ndonëse mbeti pezull padrejtësisht pas dy viteve punë, gjithmonë ka qenë një vizion që e kam dashtë me e pa të realizume. Një përpjekje e nisun prej besimi – në fuqinë e edukimit, në teknologjinë si mundësi, e në çka 42 mundet me u dhanë të rinjve tanë”.
“Një vit ma vonë, një kthesë e papritun e fatit më çoi në Tiranë – në një kohë e vend që sot ma shumë se rastësi, po më duket si vazhdimësi. Me emocione të përzime e ndjenjë të madhe përgjegjësie, e mora përsipër me ndërtu e me udhëheqë 42 Tirana – shkollën e parë të lartë të kodimit me mësim jotradicional në rajon. Vazhdim i një misioni që e kam nisë dikur – në një kontekst të ri, në shtëpinë teme të re, por prapë për shqiptarët”, tha Sahatçiu.
Më tej, ish-nënkryetarja e Prishtinës njoftoi se mbrëmë ka mirëpritur dhe shoqëruar Presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe themeluesin e shkollës 42 në Paris, Xavier Niel në përurimin e kampusit të ri.
Tirana, thotë ajo, u bë pjesë e familjes globale të 42-shit – 55 kampuse në botë që e sfidojnë mënyrën tradicionale të mësimit, “këtu, në zemër të qytetit, n’Piramidën ikonike”.
Ky projekt, sipas Sahatçiut, erdhi falë përkrahjes së Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Bashkisë së Tiranës dhe Qendrës Piramida.
“Në Prishtinë, çdo takim me ekipin e 42 e përfundoja atëherë me ‘Let’s do this!’ – tash e them me zemrën plot: ‘We did it!’ në Tiranë, e me një dëshirë që nuk shuhet – me e pa këtë vizion të gjallë edhe në Prishtinë”, përfundoi Donjeta Sahatçiu.