Shtatë policë u raportua se kanë dhënë dorëheqje nga policia pak javë pasi u rekrutuan për të shërbyer në veriun e Kosovës.
Kjo ngjalli reagime të shumta gjatë së enjtes.
Lidhur me këtë ka folur koloneli i pensionuar i policisë Rrahman Sylejmani, i cili për shumë vjet ka vepruar në ato zona.
Sylejmani tha në Edicionin Special në Klan Kosova se grupeve kriminale nuk iu konvenon rendi dhe ligji.
“Unë kam frikë se do të shtrihen në numër më të madh dhe prapë do të kthehemi në pikën zero”, tha Sylejmani.
Ai theksoi se kjo po bëhet me insistim të Beogradit.
“Këtu kemi të bëjmë me presion të drejtpëdrejtë pë sigurinë e tyre, jetën e tyre dhe pasurinë e tyre”, tha ai.
Koloneli i policisë shtoi se ky zhvillim nuk është i rastësishëm.