Dorëheqjet e 80 policëve serbë në veri të pakompletuara, procedurat nuk u respektuan

Policia e Kosovës, më 1 dhjetor, ka njoftuar se 80 zyrtarëve policorë serbë që kanë shërbyer në veri të Republikës së Kosovës u është pranuar dorëheqja dhe të njëjtit janë njoftuar për vendimet rreth dorëheqjes.

Qytetarët e Kosovës e dinë që 80 pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga ky institucion i rendit dhe zbatimit të ligjit në katër komunat veriore. Megjithatë, e vërteta po del të jetë më e komplikuar.

Demokracia.com ka mësuar se procedurat për dorëheqjen e këtyre 80 zyrtarëve policorë të komunitetit serb deri më tani nuk kanë përfunduar. Siç ka mësuar Demokracia.com, këta zyrtarë policorë serbë të veriut kanë refuzuar nënshkrimin e formave për t’i kompletuar dorëheqjet e tyre.

Sipas procedurave të brendshme të Policisë së Kosovës, nëse një zyrtar policor kërkon dorëheqje duhet patjetër ta plotësojë formën (ABC) dhe t’i dorëzojë pajisjet e pastaj brenda një muaji i aprovohet apo refuzohet kërkesa për dorëheqje.

Përkundër që Policia e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se u është pranuar dorëheqja 80 zyrtarëve policorë serbë dhe janë në procedurë të lëshimit të vendimeve për ndërprerje të punës, në fakt realiteti është tjetër, pasi siç ka mësuar Demokracia.com asnjëri prej tyre nuk ka pranuar t’i dorëzojë të gjitha pajisjet dhe t’i plotësojë dokumentet e nevojshme për dorëheqje.

Ndryshe, më 5 nëntor, Lista Serbe bëri të ditur se zyrtarët serbë në Kuvend, Qeveri, pushteti lokal, Polici, gjykatë dhe institucione të tjera në veri të Kosovës do të largohen, derisa Qeveria Kurti të tërhiqet nga plani i saj për targat.

Paralajmërimet e kësaj partie për largim nga institucionet u bënë pasi autoritetet në Kosovë suspenduan nga puna Drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili deklaroi se nuk do të zbatonte vendimin e Qeverisë për targat.

Pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian shtuan presionin ndaj Qeverisë së Kosovës për ta shtyrë afatin për ri-regjistrimin për targat, më 23 nëntor në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për targat.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte njoftuar për marrëveshjen në Bruksel mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Sipas marrëveshjes, Serbia do të ndalojë së lëshuari tabela me denominime të qyteteve të Kosovës, ndërkaq Kosova do të pushojë së ndërmarri veprime që lidhen me ri-regjistrimin e veturave.

Related Articles