Imer Hakaj ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të Inspektoratit së Trashëgimisë Kulturore. Ai tha se këtë vendim e mori pasi Komuna e Prishtinës inicioi kallëzim penal ndaj këtij institucioni, pas Inspektorati kishte ndërprerë punimet në sheshin “Xhorxh Bush”.
Hakaj ka shkruar në Facebook se ndihet përgjegjës “për mosveprimet me kohë ndaj shkelësve të ligjit për trashëgimi kulturora nga ana e Komunës së Prishtinës”, derisa shtoi se s’do të ndalet në angazhimin për drejtesi.
“Përgjegjës për të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani jam dhe mbetem vetëm unë, si Drejtor i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, duke u nisur nga udhëzimi dhe miratimi për inspektim për Inspektorin e ITK-së. Personalisht, tani ndiej përgjegjësi të plotë zyrtare për mosveprimet me kohë ndaj shkelësve të ligjit për trashëgimi kulturore nga ana e Komunës së Prishtinës. Unë nuk ndalem asnjëherë në angazhimin tim për drejtësi. Nga funksioni zyrtar, njoh vetëm ligjin dhe kurrë grupet e interesave ditore”, ka thënë ai.
Hakaj ka shtuar se ditëve në vijim do të flasë mbi veprimet institucionale, derisa tha se ka kërkuar të largohet menjëherë nga detyra “për shkak të mosreagimit me kohë ndaj shkelësve të ligjit”.
“Gjatë ditëve në vijim do të informoheni për të gjitha veprimet institucionale. Ndërkohë, nga sot ofroj dorëheqjen time nga detyra zyrtare për mosndërmarrjen e veprimeve me kohë. Ndiej përgjegjësi për këtë dhe kërkoj nga ministri im, z. Hajrulla Çeku, largimin tim të menjëhershëm nga detyra, për shkak të mosreagimit me kohë ndaj shkelësve të ligjit”, ka theksuar ai.