I riu, Shkëlqim Cakiqi, ishte shpallur në kërkim policor që nga 23 maji, pasi i njëjti dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri në drejtim të një 27-vjeçari në rrugën ‘Kajtaz Ramadani’ në Prishtinë. Sinjali që atëherë kishte raportuar lidhur me rastin e rëndë, i cili fillimisht ishte cilësuar si ‘Vrasje në tentativë’.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Cakiqi gjatë ditës së sotme është paraqitur në stacion policor, ku është intervistuar në praninë e avokatit të tij mbrojtës.
Sipas burimeve, 23-vjeçari gjatë dhënies së dëshmisë, ka treguar edhe për vendndodhjen e armës që e ka përdorur në rast, e për të cilën ka deklaruar se e ka fshehur në një banesë në Fushë Kosovë, e që më pas e njëjta është sekuestruar nga njësitë policore.
Me urdhër të prokurorit, i riu do të hetohet në liri për veprat penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’, ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.