I dyshuari, Astrit Isufi, për vrasjen e dyfishtë në Gollubovc të Malishevës, del të jetë i dënuar për dhunë në familje dhe kanosje nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Drenas, më 16 prill 2025 me 154 ditë burgim dhe 800 euro gjobë, ndërkaq Gjykata e Apelit më 26 qershor 2025 kishte ndryshuar këtë vendim, duke dënuar Isufin me 3 muaj burgim dhe 800 euro gjobë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 prill 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj Isufit për veprën penale dhunë në familje dhe kanosje, transmeton Klankosova.tv.
Sipas aktakuzës së cituar në vendimin e gjykatës, thuhet se Isufi më 30 mars 2025, me dashje dhe qëllim të cenimit të dinjitetit, kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike.
Të dëmtuarën, gruan e tij, e kishte goditur me peshqir, duke e sulmuar me shuplaka disa herë, duke i gjuajtur pjatën e ushqimit, e duke e ngritur zvarrë të dëmtuarën dhe duke e futur në dhomë me kabëll rryme derisa i ishte dukur mjaftueshëm, dhe më pas duke e larguar nga shtëpia.
Në pikën tjetër të akuzës thuhet se Isufi i është drejtuar me fjalë të dëmtuarës, gruas së tij, me fjalët: “Ti nuk guxon me u nda prej meje, se kam me ta vra familjen, kam me t’i faruar krejt”, e që me këto veprime ngarkohet edhe me veprën penale të kanosjes.
Në seancën fillestare, Isufi ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje, me të cilin deklarim është pajtuar mbrojtësi i Isufit, Prokuroria e Shtetit dhe vetë përfaqësuesja e palës së dëmtuar.
Më tutje, gjykata ka gjetur se pranimi i fajësisë është në harmoni me dispozitat ligjore, duke shtuar se dënimi me burgim prej 154 ditësh dhe 800 euro gjobë është i mjaftueshëm dhe se arrihet qëllimi i dënimit, duke u arritur rehabilitimi në rastin konkret.
Ndërkaq, lidhur me propozimin për masë të paraburgimit, gjykata del të ketë caktuar masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës, përmes të cilit i kishte shqiptuar dënim prej 154 ditësh burgim dhe 800 euro gjobë.
Ndaj këtij vendimi, Isufi ka ushtruar ankesë përmes avokatit të tij, e që më pas Apeli ka pranuar pretendimet e avokatit, duke vlerësuar se Themelorja ka mbivlerësuar rrethanat rënduese dhe i ka nënvlerësuar rrethanat lehtësuese.
Posaçërisht, pasi që Isufi është mbajtës i familjes dhe se për hir të interesit familjar ka kërkuar dënim më të butë apo alternativ.
Dhe se, sipas Apelit, shkalla e parë ka nënvlerësuar rrethanat lehtësuese dhe se e dëmtuara ka njoftuar gjykatën se është kthyer në shtëpi dhe se i akuzuari Isufi ka shprehur pendim.
Isufi ishte në arrati pas dyshimeve për kryerjen e vrasjes së dyfishtë në fshatin Golluboc më 6 tetor 2025 të Malishevës, mirëpo i njëjti u gjet nga policia dhe u arrestua.
Vendimin nga Gjykata Themelore ndaj Isufit e ka marrë gjyqtari Arbër Beqiri.
Ndërkaq, vendimin nga Gjykata e Apelit e kanë marrë gjyqtarët Mehmet Ndrecaj, kryetar i kolegjit, Ferit Osmani dhe Skënder Çoçaj, anëtarë. /BetimipërDrejtësi/
