Dosja për policin 56-vjeçar që sulmoi seksualisht 15-vjeçaren me aftësi të kufizuara mendore

Dosja për policin 56-vjeçar që sulmoi seksualisht 15-vjeçaren me aftësi të kufizuara mendore

Zyrtari policor i Njësisë Rajonale në Gjilan, R.Sh., 56-vjeçar, dyshohet se për pesë muaj, në intervale të ndryshme kohore, ka sulmuar seksualisht një 15-vjeçare me aftësi të kufizuar mendore.

Në dosjen e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, thuhet se zyrtari policor R.Sh., nga nëntori i vitit 2020 deri më 20.04.2021, është takuar disa herë në banesën e të dëmtuarës (e mitur), me aftësi të kufizuar mendore dhe ndaj të njëjtës ka ushtruar sulm seksual.

Sipas prokurorisë, zyrtari policor ka puthur të dëmtuarën në fytyrë, në buzë dhe në pjesën e gjoksit.

“…dhe atë përqafimet me të si dhe prekjet në zonat intime dhe këto veprimet i ka përsëritur në intervale të ndryshme kohore”, thuhet tutje.

Prokuroria thekson se i pandehuri ka pasur njohuri për moshën dhe gjendjen shëndetësore të të dëmtuarës, por megjithatë ndaj të njëjtës shpesh herë ka kryer sulmin seksual.

“Dyshimi i bazuar se i pandehuri, e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë rezulton nga kallëzimi penal i Inspektoratit Policor të Kosovës”, thekson prokuroria.

Prandaj, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj zyrtarit policor, konfirmon Gazeta Express

Rastin e ka bërë të ditur dje Inspektorati Policor i Kosovës, duke njoftuar se polici i dyshuar, përveç arrestimit është suspenduar deri në përfundim të hetimit.

“Si rezultat i veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi në bazë të të cilave dyshohet se zyrtari policor ka kryer veprën penale të “sulmit seksual” ndaj viktimës së këtij rasti (një e mitur).Bazuar në këto dyshime, sot në orët e pasdites është arrestuar zyrtari policor (i cili ishte jashtë detyrës zyrtare) dhe me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka njoftuar IPK.

“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës të prokurorisë Themelore në Gjilan”, përfundon njoftimi i IPK-së.

Related Articles