DRC largohet nga Kosova, pas ndërprerjes së fondeve nga SHBA-ja

DRC largohet nga Kosova, pas ndërprerjes së fondeve nga SHBA-ja

Këshilli Danez për Refugjatët (DRC) – një organizatë e madhe humanitare – njoftoi të mërkurën se do t’i mbyllë programet e ndihmës në gjashtë vende, ndër to edhe Kosova, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndërprerë financimin e tij.

SHBA-ja është donatori i dytë më i madh i DRC-së, e cila njoftoi gjithashtu se do t’i mbyllë edhe 650 vende të tjera pune.

DRC-ja, e cila ofron ndihmë për refugjatët dhe të zhvendosurit nga konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore, tha se tkurrja e ndihmës amerikane do të çojë në “vuajtje dhe vdekje të panumërta”.

“Shkalla e krizës së tanishme të financimit kërkon që DRC-ja të përshtatet, të rinovohet dhe të përgatitet për një botë ku ndihma amerikane nuk do të rikthehet më”, thuhet në komunikatën e grupit danez.

“Humbja e partnerit tonë të dytë më të madh të financimit do të thotë zvogëlim të pranisë sonë globale; mbi të gjitha, është një goditje për miliona njerëz të zhvendosur nga konfliktet, fatkeqësitë dhe ndryshimet klimatike”, theksoi grupi.

Rreth 20 për qind e buxhetit të DRC-së vinte nga SHBA-ja.

Vendet e tjera ku DRC-ja po i përfundon programet përveç Kosovës janë edhe Burundi, Republika Qendrore Afrikane, Gjeorgjia, Meksika dhe Tanzania.

DRC-ja do të mbetet e pranishme në 28 vende të tjera.

Këshilli Danez për Refugjatët në Kosovë

Këshilli Danez për Refugjatët ka vepruar në mënyrë të pandërprerë në Kosovë që nga viti 1998, sipas ueb-sajtit të këshillit.

Prej vitit 2003, DRC-ja ishte përqendruar gjithnjë e më shumë në kthimin e pakicave në Kosovë, një prioritet programor.

Ajo gjithashtu ka punuar në krijimin e një procesi të qëndrueshëm dhe afatgjatë të kthimit në Kosovë, duke synuar jo vetëm nevojat fizike të refugjatëve dhe personave të zhvendosur të kthyer, por edhe riintegrimin dhe zhvillimin social e ekonomik, përmirësimin e kushteve të jetesës, objekteve dhe mundësive për të dy komunitetet – pritëse dhe kthyer, sigurinë dhe dialogun ndëretnik, thuhet në ueb-sajtin e saj.

Nga viti 2003, DRC-ja i ka kthyer 778 familje me gjithsej 2945 individë në Kosovë.

Related Articles