Në një deklaratë të presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel dhe Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të dy presidentët ripërsërisin qëndrimin, se vendimi i Federatës Ruse për të njohur si entitete të pavarura dhe për të dërguar trupa ruse në zona të caktuara të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut të Ukrainës është i paligjshëm dhe i papranueshëm.
“Ai shkel ligjin ndërkombëtar, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, angazhimet ndërkombëtare të vetë Rusisë dhe përshkallëzon më tej krizën” thuhet në deklaratën e tyre. Të dy presidentët mirëpresin unitetin e palëkundur të shteteve anëtare dhe vendosmërinë e tyre për të reaguar me forcë dhe shpejtësi ndaj veprimeve të paligjshme të Rusisë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Paketa e parë e sanksioneve do të paraqitet zyrtarisht më vonë këtë pasdite. Organet përkatëse do të mblidhen më pas për të finalizuar paketën pa vonesë. Paketa përmban këto propozime:
-Ka në shënjestër ata që ishin të përfshirë në vendimin e paligjshëm
-Synon bankat që financojnë operacione ushtarake ruse dhe operacione të tjera në ato territore,
-Synon aftësinë e shtetit dhe qeverisë ruse për të hyrë në tregun e kapitalit, shërbimeve dhe tregun financiar të BE-së për të kufizuar financimin e politikave përshkallëzuese dhe agresive,
-Synon tregtinë nga dy rajonet e shkëputura drejt dhe nga BE-ja, për të siguruar, që përgjegjësit të ndjejnë qartë pasojat ekonomike të veprimeve të tyre të paligjshme dhe agresive.
Të dy presidentët shprehen, se BE-ja ka përgatitur dhe është e gatshme të miratojë masa shtesë në një fazë të mëvonshme nëse është e nevojshme në dritën e zhvillimeve të mëtejshme. Një takim jozyrtar i ministrave të jashtëm të BE-së i kryesuar nga përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së do të zhvillohet sot në orën 16:00. /abcnews.al/, transmeton Gazeta Enigma.