Në mëngjesin e ditës së sotme ka vdekur një pacient i cili kishte rënë nga kati i katërt i Klinikës së Kirurgjisë Torakale. Lajmi u bë e ditur përmes një njoftimi nga Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës. Nga SHSKUK thanë se përkundë masave dhe ndihmës nga stafi i Klinikës emergjente pacienti nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.
Lidhur me rastin ka folur drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci.
Kolgeci shprehu keqardhje për rastin e ndodhur, derisa bëri të ditur viktima nuk kishte qenë i shtrirë, ai kishte shkuar sot për vizitë. Dhe, siç njofton ai rasti ka ndodhur menjëherë pas vizitës.
“Shpreh keqardhje për rastin. Ne nuk kemi pas asnjë ankesë as prej familjarëve as prej pacientit. Pacienti ka qenë në shtëpi dhe ka ardhë për vizitë. Rasti ka ndodhur menjëherë pasi ka dal prej vizitës”, tha ai.
Derisa, Kolgeci njoftoi se personi që u hodh nga kati i katërt i kësaj kirurgjie kishte shkuar sot për ta bërë dializën.
“Sot e kemi thirrë për shkak se ka pas me bë dializën se ka pas problem me zemër dhe me veshkë”, tha Kolgeci për Insajderin.
Ndryshe, për rastin janë informuar organet policore dhe ato të hetuesisë, të cilat po merren me të.