Autoritetet gjyqësore në Kosovë njoftuan se kanë arrestuar një 16-vjeçar që dyshohet se ishte përgatitur që të kryente një “sulm të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë”.
Prokuroria Speciale tha se i dyshuari B.M, për disa muaj kishte bërë plane dhe përgatitje për këtë sulm.
Prokuroria të dielën bëri të ditur se gjykata kompetente ka miratuar kërkesën e tyre dhe ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
RTV21 ka kontaktuar me drejtorin e shkollës ku vijonte mësimin 16-vjeçari i dyshuar për planifikimin e vrasjes së shokëve.
Ai tha se te i dyshuari B.M ka qenë nxënës mesatar, i heshtur dhe pa ndonjë vërejtje në sjellje.
Sipas drejtorit të vetmen vërejtje që e ka pasë kujdestarja e klasës së 16-vjeçarit ka qenë mungesat e tij në orët e para të mësimit.
“Djali ka qenë pak i heshtur, i tërhequr, por nuk ka pasur abuzim në klasë apo ndonjë ngacmim me dikë. Në klasë ka qëndruar por në kohën e fundit ka qëndruar i vetëm sipas policisë në rrjetet sociale ka filluar të zhvillojë një komunikim me njerëz jashtë shkollës për përgatitjen e atij plani”, tha drejtori i shkollës.
Drejtori tha se shkolla është duke e vazhduar normalisht procesin mësimor.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që përgatit kryerjen e një vepre terroriste mund të dënohet nga pesë deri në 20 vjet burgim.