Qytetarët që lajmërojnë rrejshëm në Polici për çfarëdo rasti rrezikojnë të futen në sherr me ligjin dhe të dënohen edhe me burgim. Raste të tilla nuk janë të rralla dhe shpesh motivet lidhen me synimin për të përfituar duke mashtruar.
Një veprim të tillë zgjodhi ta bëjë edhe një qytetar në Skenderaj, i cili raportoi në Polici se hajnat ia kanë vjedhur veturën e tij, e cila ishte e parkuar në afërsi të shtëpisë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas marrjes së veprimeve hetimore, është zbuluar se 27-vjeçari ka deklaruar rrejshëm, pasi vetura gjendet tek ai vetë.
Si rezultat i kësaj, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të riut kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Deklarim i rremë’.