Nënkampionia e Kosovës në futboll, Drita ka shënuar një sukses tjetër të martën mbrëma në garat evropiane.
Skuadra e drejtuar nga trajneri shkupjan, Ardian Nuhiu u kualifikua në rrethin e dytë të kualifikimeve në Ligën e Konferencës, duke e eliminuar në ndeshjen e kthimit me përmbysje skuadrën finlandeze, Inter Turku.
3:0 ishte rezultati final në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, falë golave të Arbnor Mujës (48’ 50’) e Marko Simonovskit (2’).
Me këtë rast klubi “bardhekaltër” falë këtij kalimi i ka të siguruara 350 mijë euro.
Këtë shumë Drita e ka të sigurt edhe në rast se eliminohet nga Royal Antwerp në rrethin e dytë.
Shuma do të rritej për 200 mijë euro nëse Drita arrin të “gjunjëzojë” edhe ekipin belg në rrethin e dytë.
Drita është ndër klubet që ka përfituar mjaft shumë mjete financiare nga garat evropiane, duke marrë parasysh se klubi nga Anamorava merr pjesë në garat e UEFA-s tash e disa vite që nga pranimi i Kosovës në dy institucionet më të larta të futbollit në botë.
Drita dhe skuadra belge, Antwerp do të ndeshen më 21 korrik dhe pastaj ndeshja e kthimit pas një jave. Ndeshja e parë do të luhet në Belgjikë, kurse ajo e kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.