Qytetarët e Kosovës po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Për këtë shkak, të gjithë zyrtarët qeveritarë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, vazhdimisht po bëjnë thirrje për kursim të energjisë elektrike.
Por, ekzekutivi po kritikohet se pse rryma nuk po kursehet në objektin e qeverisë së Kosovës.
Në disa zyre në objektin e Qeverisë shihen dritat e ndezura edhe pas orarit të punës. Ministri i Financave, Hekuran Murati thotë se edhe në atë kohë, janë punëtorë që e vazhdojnë punën, kjo për shkak të festave të fundvitit.
“Rasti me Thesarin, zyrtarët përgjegjës për ekzekutimin e pagesave, përgatiten prej të gjitha ministrive, dorëzohen lëndët për pagesa dhe pastaj duhet të përpunohen në mënyrë që të kryhen. Për të arritur që të kryhen shumica e pagesave para Vitit të Ri, të cilat në kushte normale do të kryheshin prej datës 1 deri në 10 të muajit të ardhshëm, siç janë shtesat për fëmijë, për lehonat, pagesat e ndihmës sociale, subvencionet …të gjitha këto duhet të përpunohen, të futen në sistem dhe në ekzekutim para Vitit të Ri”, shpjegoi Murati në emisionin “DPT te Fidani” në T7.
“Kemi dashur që qytetarët t’i kenë këto para për festa në mënyrë që të kenë mundësi t’i përdorin para Vitit të Ri’, theksoi ai.
Kjo është arsyeja që nganjëherë i ndodh stafit që të rrijë edhe pas orarit të punës e ndoshta dalin edhe në ditë pushimi ose fundajvë në punë”, shtoi Murati./Gazeta Enigma/