Trajneri i mirënjohur i xhudos, Driton Kuka, është shprehur shumë i lumtur për medaljen e artë të Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Në kategorinë deri në 48 kilogramë Distria Krasniqi u tregua e jashtëzakonshme duka i sjellur Kosovës medaljen e parë në Tokio 2020.
Pas këtij suksesi, trajneri Driton Kuka për Express tha se ndihet trajneri më i lumtur në botë.
“Kënaqësi e veçantë ta them të drejtën Disi sipas meje ka pasë potencial për medalje, por e arta është mrekulli. Sinqerisht ndjenja të forta të papërshkrueshme. Pikërisht Disi me daljen në një kategori më të ulët ka bërë sakrifice por ja që sot jam trajneri me i lumtur ne boteë se vendimi ka dal të rezultojë me medalje të artë olimpike” – tha Kuka.
Tutje, ai paralajmëroi edhe medalje tjera nga kjo Olimpiadë.
“Jemi ketu ende me 4 garues tjere gjasa ka që të kemi ende medalje. E per ma tutje besoj qe xhudo do vazhdojë me suksese edhe Olimpiadat tjera” – u shpreh Kuka.
Kjo ishte medalja e dytë e artë në Olimpiada. Para Distria Krasniqit të artën e kishte fituar Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike të vitit 2016.
Ndërkohë, nesër Majlinda Kelmendi do të nisë garimin, e nga e cila presim një tjetër medalje olimpike.
Kosova në “Tokio 2020” merr pjesë me 11 garues, nga të cilët pesë janë nga xhudoja.