Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se nuk kishte raportime për viktima ose lëndime amerikane pas sulmit në Iran dhe se operacionet nuk u kompromentuan. Dëmi në objektet amerikane ishte minimal, njoftoi CENTCOM në mediat sociale.
“Pas një vale fillestare sulmesh amerikane dhe të partnerëve, forcat e CENTCOM-it u mbrojtën me sukses kundër qindra raketave dhe dronëve iranianë. Nuk pati raportime për viktima ose lëndime amerikane në luftime. Dëmi në objektet amerikane ishte minimal dhe nuk ndikoi në operacione”, thuhet në deklaratë.
Sulmet u kryen si pjesë e operacionit të quajtur “Epic Fury”. U përdorën “municione precize të lëshuara nga ajri, nga toka dhe deti” dhe “dronë sulmi me një drejtim”, shtoi deklarata e Komandës Qendrore.
SHBA-të përdorën dronë sulmi me një drejtim për herë të parë në luftime
Gjatë sulmeve të së shtunës ndaj Iranit, ushtria amerikane përdori dronë sulmi njëkahësh në luftime për herë të parë.
“Në orët e para të operacionit, u përdorën municione precize të lëshuara nga ajri, nga toka dhe nga deti”, thuhet në njoftimin për shtyp të CENTCOM-it. “Për më tepër, ‘Task Force Scorpion Strike’ e CENTCOM-it përdori për herë të parë në luftime dronë sulmi me kosto të ulët dhe me një drejtim.”
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan Iranin këtë mëngjes. Të paktën tre shpërthime u dëgjuan në Teheran, kryeqytetin e Iranit, dhe një numër qytetesh të tjera iraniane u goditën gjithashtu.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pretendon se sulmi do t’i japë fund kërcënimit të sigurisë ndaj SHBA-së dhe do t’u ofrojë iranianëve një shans për të përmbysur sundimtarët e tyre. Qeveria izraelite ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të hakmarrjes së pritur iraniane me dronë dhe raketa balistike.
Pentagoni njoftoi se sulmi amerikan u quajt “Zemërimi Epik”. Izraelitët, nga ana tjetër, e quajnë operacionin e tyre “Zhurma e Luanit”. Irani u hakmor duke qëlluar me raketa Izraelin, tha ushtria izraelite. Irani gjithashtu kreu sulme ndaj vendndodhjeve ushtarake amerikane në Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar. /
