Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se mandatet po ia kthejnë popullit serb që i ka zgjedhur, jo Prishtinës.
Ai tha se janë mbledhur në Mitrovicën e Veriut “për të dërguar një mesazh të qartë se ka mjaft bullizëm nga Prishtina – duke vjedhur pronat serbe, duke ngacmuar serbët dhe duke bërë akuza të rreme ndaj tyre”.
Rakiq theksoi se “ka mjaftueshëm nëpërkëmbje të Marrëveshjes së Brukselit dhe popullit serb”.
“Unë qëndroj para jush me ndërgjegje të pastër sepse bëmë gjithçka për ta parandaluar këtë. Me dorëheqjet tona mbrojmë Marrëveshjen e Brukselit dhe ligjin. Duam paqe, paqe dhe vetëm paqe. Ju lutemi mos bini në provokime, ne nuk jemi një faktori përçarës, ne duam që gjithçka të largohet nga vendimet e njëanshme për targat dhe zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, për të krijuar Asociacionin e Komunave Serbe”, tha Rakiq.
Kurse, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i ftoi të pranishmit që të ngrenë flamujt serbë për të parë se sa ishin të pranishëm.
Sipas tij, serbët në Kosovë kanë pritur dhjetë vjet për formimin e Asociacionit dhe janë përpjekur të sigurohen që dikush në Prishtinë ta mirëpresë dorën e shtrirë të pajtimit.