Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka reaguar pas një “dokumenti” të publikuar në një ueb-faqe të quajtur “gazetapacenzure”, e në të cilin pretendohet se është një dëshmi e Hysen Durmishit tek policia serbe për UÇK-në e dhënë më 1998.
Durmishi ka thënë se një dokument i tillë është i falsifikuar dhe shton se për të njëjtin ka pasur dijeni qysh para një viti, meqë ishte njoftuar nga një gazetar lidhur me ekzistencën e tij.
“Që ata mund të bien deri në këtë nivel sa të shërbehen me dokumente të falsifikuara në bashkëpunim me UDB-në, nuk do më shkonte mendja. Ky dokument që është publikuar po qarkullon nga dora në dorë qe një kohë. Për këtë jam njoftuar nga një gazetar para më shumë se një viti”.
Durmishi ka thënë se nuk shantazhohet nga “UDB dhe bashkëpunëtorët e tyre”, dhe shton se kjo po bëhet për shkak të pozicionit të tij politik.
“Për shkak të pozicionit tim politik ka një kohë që organizohen sulme të parreshtura ndaj meje në format më të ulta të mundshme”, ka shkruar në reagim.
Reagimi i plotë:
Nuk shantazhohem dot nga UDB dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Aktivitetin tim politik e në shërbim të atdheut e kam filluar para plot 36 vjetëve. Isha 16 vjeçar në atë kohë. Si 17 vjeçar u përjashtova nga shkolla dhe m’u ndalua shkollimi në gjithë Jugosllavinë e asaj kohe për shkak të organizimit të demonstratave të marsit të vitit 1989. Që nga ajo kohë e deri më sot nuk jam ndalur kurr. Dhe sot me bindje të thellë e theksoj që jam krenar për gjithçka kam bërë gjatë veprimtarisë sime. As edhe një gjë më të voglën nuk e kisha ndryshuar nga veprimet e mia deri më sot. Si nxënës isha në ballë të demonstratave dhe organizator i tyre, si student isha në ballë të demonstratave dhe organizator i tyre duke qenë kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Duke qenë student rashë në kontakt me ushtarë të UÇK-së së pari në zonën e Drenicës dhe përfundimisht u rreshtova si ushtar i UÇK-së me 26 qershor të vitit 1998 në batalionin e dytë të Budakovës nën komandën e komandantit Sadik Halitjaha. Kam qenë një ushtar që kam kryer detyra dhe respektuar urdhërat ushtarak me përpikmëri dhe për këtë mund të deklarohen të gjithë ata që kan qenë me mua në atë kohë. Jam arrestuar me 18 shtator të vitit 1998 bashkë me një shok timin të plagosur dhe kam kaluar nëpër burgjet në Kosovë e Serbi deri më 19 shtator të vitit 2000. Jam arrestuar në hyrje të Ferizajit në një pritë të organizuar. Ishim nisur për në Prishtinë me detyrë përmes një vendimi të lëshuar nga komandanti im Sadik Halitjaha. Atë vendim e kam pasur me vete kur jam arrestuar dhe për të mos rënë në dorë të policisë e kam gëlltitur. Për kohën e qëndrimit në burg gjithashtu i ftoj që të deklarohen të gjithë ata që kanë qenë me mua në burg. Që nga viti 2002 jam angazhuar për konceptimin, ideimin, organizimin dhe themelimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku jam edhe sot. Për të gjithë këtë veprimtari e kontribut timin jam i lumtur dhe shumë krenar.
Për shkak të pozicionit tim politik ka një kohë që organizohen sulme të parreshtura ndaj meje në format më të ulta të mundshme. E kuptoj sepse e di që jam pengesë për grupe të organizuara të krimit e korrupcionit, dhe lufta e pakompromis e imja është pengesë për ta. Që ata mund të bien deri në këtë nivel sa të shërbehen me dokumente të falsifikuara në bashkëpunim me UDB-në, nuk do më shkonte mendja. Ky dokument që është publikuar po qarkullon nga dora në dorë qe një kohë. Për këtë jam njoftuar nga një gazetar para më shumë se një viti. Nuk e kam marr seriozisht sepse është dokument i fallsifikuar. Ajo nuk është deklaratë e imja dhe as nuk është e nënshkruar nga unë. Aty shihen dy nënshkrime, njëri është me shkronja të mëdha e tjetri me të vogla dhe emri është Hisen e jo Hysen. Këtë dokument unë e kam parë për herë të parë para një viti dhe asnjëherë më përpara. Dhe më e rëndësishmja ky dokument nuk ka qenë asnjëherë pjesë e aktakuzës apo aktgjykimit tim. Aty në dokument përmenden emra të vërtetë që kanë qenë në atë kohë me mua në luftë por ka edhe emra që unë nuk i njoh fare. Kjo tregon që ky dokument është bërë më vonë duke paraqitur të vërteta të asaj kohe por edhe duke shtuar gjëra të pavërteta, që dikush kur e sheh një gjë të vërtetë ta besoj mandej krejt dokumentin.
Po të ishte i vërtetë ky dokument do të pësonte ndonjëri nga ata emra që përmenden në atë dokument. Asnjëri nga ata emra nuk është arrestuar. Dhe mos harroni një gjë që Serbia ka pasur shumë informata për neve në atë kohë sepse ne nuk kemi qenë organizatë ilegale, nuk kemi vepruar me maska dhe njerzit na kanë njohur sepse na kanë parë nëpër pika të kontrollit e istikame. Bashkëpunëtor të Serbisë ka pasur gjithandej dhe ata nuk kanë pasur nevojë që nga unë ti marrin këto informata.
Një sqarim për të gjithë qytetarët e këtë që do e them e kuptojnë më së miri bashkëvuajtësit e mi nëpër burgjet e Serbisë. Atë ditë, pra me datë 19 shtator të vitit 1998, unë kam qenë i torturuar në mënyrë çnjerëzore. 7 herë më kanë futur në rrymë dhe disa herë kam qenë i alivanosur. Unë as nuk kam qenë në gjendje që të nënshkruaj ndonjë dokument. Unë dhe shokët e mi pasojat e burgut i vuajmë edhe sot. Përveq tjerash unë sot me veshin e majtë dëgjoj vetëm 40%. Unë vetëm një frigë e kisha atë ditë. Nuk mendoja fare për vete. Frikësohesha që po zbulohet shoku im i plagosur se kush ishte. Ai ishte ushtar i njësisë “Shqiponjat e zeza” i plagosur dy herë në luftë. Ai nuk u zbulua atë ditë dhe as më vonë. Unë ndihem i lumtur që ai ka dalur nga burgu bashkë me mua dhe sot jeton në Kosovë. Krejt burgun e ka kaluar me emër tjetër dhe për këtë një kontribut të vogël e kam edhe unë. Këtë rast e dijnë të gjithë të burgosurit politik të asaj periudhe.
Sulmet ndaj meje për pjesën më të ndritur të historisë time, pra për luftën dhe burgun nuk ju ecin. Kot e keni ju dhe UDB me bashkëpunëtorët e saj. Shteti i Sërbisë më ndjek edhe sot e kësaj dite. 12 orë jam ndaluar në aeroportin e Stambollit para dy viteve, bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët e mi, për shkak të listave të Serbisë për ushtarët e UÇK-së. Prej Serbisë nuk pres asgjë të mirë asnjëherë, por nuk do të doja që këtë sulm ndaj meje ta bëjnë ata që flasin shqip.