Durmishi takon Rizvanollin: Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të rrisin bashkëpunimin ekonomik

Durmishi takon Rizvanollin: Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të rrisin bashkëpunimin ekonomik

Ministri i Ekonomisë dhe Punës së Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, në kuadër të vizitës zyrtare në Prishtinë, realizoi sot takim pune me ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli.

Gjatë vizitës dhe takimit zyrtar, u shkëmbyen mendime për çështje të rëndësishme që lidhen me thellimin e bashkëpunimit tregtar midis dy vendeve, projektet e ardhshme të lidhjes rajonale.

Durmishi në takim vuri në dukje se Ministria e Ekonomisë dhe Punës, me marrjen përsipër të kompetencave të reja, do të përqendrohet, ndër të tjera, në lidhjen dhe mbështetjen më të madhe rajonale për biznesin vendor për të rritur konkurrentësinë.

“Jemi të interesuar të rrisim bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në çdo fushë. Vizioni dhe strategjia që kemi para nesh si Qeveri parashikon bashkëpunim më të ngushtë rajonal dhe vetëm përmes mbështetjes së ndërsjellë, mbi të gjitha në fushën e projekteve rajonale, jam i bindur se përfitimet do të jenë të dyanshme dhe progresi do të jetë i dukshëm për të dy vendet”, tha Durmishi.

Durmishi shprehu besimin e tij të fortë se konkurrenca rajonale do të forconte rezistencën e rajonit, do të sillte prosperitet për qytetarët, do të krijonte treg më të fortë pune, do të sillte rritje dhe një të ardhme të ndritur për ekonomitë dhe në të njëjtën kohë do t’i përgatiste ato për hyrje në tregun e madh të Bashkimit Evropian.

Të dy ministrat ranë dakord se ka disa iniciativa për lidhjen rajonale, dhe ekziston vetëdije te të dy qeveritë për përfitimet që i sjellin integrimet rajonale. Është e nevojshme të punohet në mënyrë aktive në të dyja palët për të zbatuar iniciativat dhe marrëveshjet për zbatimin e integrimeve rajonale.

Related Articles