Policia e Shqipërisë ka arrestuar dy persona në Durrës, të cilët po kryheshin veprime të kundërligjshme kundrejt shitblerjes së votës. Ku gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 zarf me nga 5 dhe 10 mijë lekë secili, që dyshohen se do të përdoreshin për blerjen e votës.
Sipas Policisë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë për krimet zgjedhore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, shtetasit N.M., 37 vjeç, banues në Qerret dhe Xh.T., 23 vjeç, banues në Qerret, Durrës, përfaqësues të një subjekti politik.
“Shërbimet e Policisë nga informacionet e marra në rrugë operative se në një mjet tip “Passat” po kryheshin veprime të kundërligjshme kundrejt shit-blerjes së votës, në vendin e quajtur Bishti Kamëz, kanë ndaluar dhe kanë kapur në flagrancë dy shtetasit. Gjithashtu gjatë kontrollit në mjet u gjendën fletë votimi të cikluara për një subjekt politik”, thuhet në njoftim.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.