Vizita e avokatit serb në Prekaz u prit me interesim të madh nga mediat vendore të enjten.
Çedomir Stojkoviq kishte zgjedhur pikërisht varrin e Blerina Jasharit për të vendosur lule, e cila ishte shtatë vjeç kur u vra në Prekaz nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Përveç luleve, avokati e la edhe një letër ku ndër të tjera, ai tha se shpresa dhe ëndrra fillojnë me fjalën “më fal”.
Vizitën e tij edhe më të veçantë e bënte fakti i ditur se klienti i tij, opozitari Nikolla Sadulloviq, ishte arrestuar e më pas rrahur e paraburgosur nga BIA serbe për shkak se muaj më parë, kishte bërë një veprim të ngjashëm – kishte kërkuar falje për krimet serbe në Kosovë pikërisht gjatë vizitës në varrezat në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.
Sandulloviq u arrestua nga shërbimet sekrete serbe dhe u torturua, sa që sipas Stojkoviqit, njërën dorë dhe njërën këmbë i ka të palëvizshme si pasojë e rrahjes brutale.
Ndonëse vizita e Stojkoviqit u cilësua pozitive në opinion, pati edhe zëra kritikë që këtë vizitë të avokatit serb e shohin si politike.
Kështu mendon kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, i cili në një prononcim për Klankosova.tv, thotë se Stojkoviqi këtë vizitë në Prekaz e ka bërë për interes të shtetit të tij – Serbisë.
“Unë e shoh çdo hap që e bën një serb, e bën për një interes të Serbisë. Avokati është më shumë se politikan – është dy herë politikan. Ai vizitën e ka bërë sa për ta shlyer gabimin e rrahjes së klientit të tij Sadulloviqit nga institucionet e sigurisë në Serbi”, është shprehur Çerkini.
“Duhet ta dijë populli shqiptar, se sikur ai ta kishte pasur qëllimin e pastër, ai nuk do të kishte ardhur i vetëm në vizitë, por do t’i kishte edhe 20-30 të tjerë me vete dhe një përcjellje të madhe edhe prej institucioneve vendore”, ka shtuar ai.
I pyetur se a sa është i rrezikuar Stojkoviqi pas kësaj vizite në Prekaz, Çerkini ka thënë se nuk do ta ngucin në Serbi sepse sipas tij, kjo vizitë nuk është bërë pa dijeninë e institucioneve serbe të sigurisë.
Por, drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, e sheh këtë zhvillim nga një tjetër këndvështrim.
Në një prononcim për Klankosova.tv, ai ka thënë se vizitat e Sadulloviqit dhe Stojkoviqit në Prekaz tregojnë që viktimat në Kosovë po pranohen nga një pjesë e publikut në Serbi.
“Është e rëndësishme që individë edhe profesionistë të fushave të ndryshme, sidomos të fushës së jurisprudencës të vizitojnë vendet e krimeve në Kosovë dhe t’i nderojnë viktimat. Kjo tregon që viktimat në Kosovë po pranohen nga një pjesë e publikut në Serbi dhe kjo sigurisht ndikon në krijimin e empatisë në komunitetin e viktimave”, është shprehur Blakaj.
Sipas tij, në përgjithësi kjo ndikon në krijimin e narracionit të saktë edhe në Serbi mbi krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
“Unë mendoj që kjo ndërlidhet edhe me faktin se klienti [Sandulloviq] i avokatit [Stojkoviq] është keqtrajtuar nga shërbimet sekrete në Serbi, mu për faktin që ka nderuar viktimat në Prekaz”, ka shtuar ai.
I pyetur rreth rrezikut që i kanoset Stojkoviqit pas kësaj vizite, Blakaj ka thënë se mund të targetohet, nëse jo nga institucionet, mund të bëhet cak i grupeve të ndryshme në Serbi dhe të sulmohet.
Në një prononcim para gazetarëve dje në Prekaz, avokati Stojkoviq ka bërë të ditur se sot (e premte) do të udhëtojë drejt Beogradit dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e arrestimit nga autoritetet serbe, por ka theksuar se nuk frikësohet për shkak se beson se është duke e bërë gjënë e duhur.
Ai tashmë ka hyrë në territorin e Serbisë, ndërsa disa postime në X, ka rrëfyer mbi përjetimet që i ka pasur. Ai ka thënë se ia kanë marrë pasaportën në kufi, e kanë çuar afër objektit kufitar ndërsa e kanë lënë të qëndrojë jashtë para objektit “që të mos dëgjoja se çfarë thoshin ndërsa pres të diskutohen dy rryma”.
“Ata që kanë frikë se çfarë do të ndodhë nëse më arrestojnë; ata që kanë frikë se çfarë do të ndodhë nëse nuk më arrestojnë”, tha ndër të tjera avokati Stojkoviq.