Policia Rajonale e Ferizajt ka ndëshkuar dy drejtues automjetesh për tejkalim të shpejtësisë në zonë të banuar, në rrugën “Rexhep Bislimi”.
Ngjarjet janë regjistruar më datat 1 dhe 3 maj, kur zyrtarët policorë të trafikut ndaluan dy shoferë – Ç.XH, 24 vjeç dhe F.S, 48 vjeç – të cilët po qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara. Njëri nga shoferët u kap duke vozitur me 76 km/h, ndërsa tjetri me 71 km/h, në një zonë ku kufiri i lejuar është 40 km/h.
Për këtë shkelje të rrezikshme të rregullave të qarkullimit, të dyve iu shqiptuan masat ligjore: gjobë prej 200 eurosh, 2 pikë negative në patentë-shofer dhe pezullim i të drejtës së ngasjes për 3 muaj.
Policia e Ferizajt ka ritheksuar rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut dhe ka inkurajuar qytetarët të bashkëpunojnë për siguri më të lartë në rrugë. Shkeljet mund të raportohen përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, ose përmes numrave të kontaktit: 192 | 0290/326-250 | 0290/322-406
Autoritetet garantojnë se të gjitha raportimet trajtohen me konfidencialitet të plotë.