Policia e Kosovës në Ferizaj, ka njoftuar se të mërkurën dy shtetase të huaja, të cilat po qëndronin në hotelin “Luboteni” në Brezovicë, janë nisur për një ecje malore në bjeshkët e Sharrit.
Por, gjatë rrugëtimit të tyre, për shkak të kushteve të vështira dhe terrenit të panjohur, ato kanë humbur rrugën.
Ndërkohë në orët e vona të pasditës, Policia Rajonale e Ferizaj, në bashkëpunim me Stacionin Policor në Shtërpcë kanë pranuar një informatë se dy alpinistet kishin humbur rrugën dhe ndodheshin diku në zonën malore të Sharrit, por pa ditur saktësisht vendndodhjen e tyre.
Përmes një audio incizimi, ato kishin treguar gjendjen e tyre të rënduar dhe pamundësinë për të vazhduar më tej.
“Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke aktivizuar njësitë relevante dhe duke kërkuar ndihmën e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe Shërbimit të Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës. Pas disa orësh kërkimesh intensive dhe përpjekjeve të koordinuara, më 22.05.2025, rreth orës 03:00, dy shtetaset e huaj janë gjetur në bjeshkët e fshatit Gotovushë”,thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, ato janë transportuar menjëherë me autoambulancë në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë.
Ndërkaq, sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile, përveç një lëndimi të lehtë në këmbë tek njëra prej tyre.
“Policia Rajonale e Ferizajt shpreh falënderim të thellë për angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjitha strukturave të përfshira në këtë operacion, në veçanti Shërbimin e Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, njësitë policore të të gjitha niveleve, qytetarët dhe të gjithë ata që kontribuuan në gjetjen dhe shpëtimin e suksesshëm të dy alpinisteve”, thuhet më tej në njoftim.