Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, shpesh herë shkaktojnë telashe më të mëdha mes qytetarëve. Në konflikt e sipër, në shumë raste shkëmbehen ofendime e kërcënime mes palëve, duke u dashur kështu ndërhyrja e Policisë për t’i zgjidhur problemet.
Për shkak të një rruge, dy vëllezër dyshohet se kanë kërcënuar një grua në fshatin Pllanjanë të Prizrenit.
36-vjeçarja është detyruar të kërkojë ndihmën e Policisë, teksa Sinjali merr vesh se njëri nga të dyshuarit është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Bazuar në dëshminë e viktimës, 39-vjeçari ishte jashtë detyrës zyrtare, kur bashkë me vëllain e tij dyshohet se kanë kërcënuar gruan.
Si rezultat i denoncimit, dy vëllezërit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.