Dy vëllezër sulmojnë fizikisht Policinë në Vlorë për shkak të gjobitjes

Dy vëllezër sulmojnë fizikisht Policinë në Vlorë për shkak të gjobitjes

Dy vëllezër në Vlorë kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, pasi ata janë kapur duke lëshuar me qira mjete elektrike pa licencë, po ashtu po zaptonin hapësirën publike.

Si pasojë e përleshjes, dy policë po trajtohen në Spitalin e Vlorës.

Ndërkaq, të dyshuarit janë arrestuar.

“Mbrëmjen e djeshme në Lungomare, punonjësit e qarkullimit rrugor të planizuar në këtë aks, gjatë kontrolleve të ushtruara për përdorimin e kaskave tek motorët elektrikë dhe monopatinat, kanë konstatuar shtetasin D. J., në kundërvajtje, të cilin e kanë ndaluar. Gjatë komunikimit të kundërvajtjes dhe masës administrative, janë afruar dy pronarët e subjektit ku shtetasi D. J. kishte marrë motorin elektrik me qira, konkretisht shtetasit R. P. dhe K. P., të cilët së bashku me shtetas të tjerë kanë debatuar verbalisht me punonjësit duke i kundërshtuar e më pas i kanë goditur me grushte. Si pasojë e konfliktit, dy punonjës policie aktualisht ndodhen në spitalin e Vlorës, pasi kanë pësuar fraktura, jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të veprimeve proceduriale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, oficeri i Prokurorisë ka bërë ndalimin e dy shtetasve R. P., 29 vjeç dhe K. P., 23 vjeç, (vëllezër), të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Dy shtetasit e arrestuar, pronarë të subjektit për dhënien me qira të mjeteve elektrike, gjithashtu kanë rezultuar se e ushtronin këtë aktivitet pa licencë, duke zaptuar hapësirën publike. Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt”, bën me dije policia e Vlorës.

Related Articles