Dyfishohen pagat në Vlorë, afro 600 të huaj të punësuar

Dyfishohen pagat në Vlorë, afro 600 të huaj të punësuar

Edhe pse sektori i turizmit po rrit pagesat, mungesa e fuqisë punëtore po orienton kërkesën drejt të huajve.

Sidoqoftë në fokus, sipas kreut të operatorëve të turizmit për jugun e Shqipërisë, Vasil Bedinaj, mbeten të rinjtë shqiptarë.

“Shpresoj që informacioni që po japim çdo ditë në rrjete sociale apo media, që ata që janë pa punë, të marrin informacionin e duhur që kushtet e punësimit nuk janë si para dy apo katër vitesh por janë shumë të mira, pagat pothuajse janë dyfishuar, kushtet e punës janë bërë më komode nuk ka më pagë minimale”, u shpreh Vasil Bedinaj.

Menaxheri i një prej strukturave hoteliere të qytetit, tregon se stafet janë gjithëvjetorë, por në sezonin veror fluksi kërkon shtim të forcës punëtore.

“Jemi të hapur jo vetëm për Vlorën, por për të gjithë Shqipërinë që të kemi njerëz të kualifikuar dhe të kemi forcë punëtore. Por duke pasur parasysh edhe ikjen edhe emigracionin që është duke pasur shumë kohët e fundit po shohim edhe për të huaj”, tha menaxheri, Jetmir Shabani.


Në disa subjekte të huajt nga vende si Bangladeshi apo Nepali kanë ardhur si punonjës për të gjetur mundësinë e kalimit në Evropë, e për këtë arsye, bizneset tashmë janë fokusuar te fuqia punëtore në Filipine apo Bali, ndërsa kërkojnë nga shteti shqiptar thjeshtim të procedurave./Euronews.al

Related Articles