Që nga e shtuna e deri sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan, kanë kërkuar ndihmë mjekësore 823 pacientë prej të cilëve 428 kanë qenë me simptoma të njëjta, e të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm. Gjatë së hënës është rritur edhe numri i fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë në këtë institucion primar shëndetësor.
Drejtori i QKMF-së “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan, Selmon Berisha, thotë se gjendja shëndetësore e të gjithë pacientëve që kanë kërkuar ndihmë është e mirë dhe se janë jashtë rrezikut për jetë.
Ai deklaroi se gjatë ditës së sotme është vërejtur një rënie e fluksit të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, por që tha se sot numri më i madh i atyre që kanë kërkuar shërbime mjekësore kanë qenë fëmijët, por që sipas tij gjendja e tyre është stabile.
“Nëse flasim për numra që nga dita kur kemi filluar, prej të shtunës në ora 15:00 deri më sot në mëngjes, pa i përfshirë rezultatet e ditës së sotme të cilët ende nuk i kam të kompletuara kanë qenë 823 pacientë të cilëve iu kemi ofruar vizita mjekësore në shërbimin urgjent pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Nuk janë të gjitha shërbimet këtu, se ne kemi edhe aktivitete të tjera përpos vizitave mjekësore, po prej këtyre 823 vizitave mjekësore që kemi pas kanë qenë 428 me simptomatologji të njëjtë”, deklaroi ai.
Berisha, në një intervistë për KosovaPress, thotë se të gjithë pacientët kanë qenë me simptoma të njëjta, gjë që i ka bërë të mendojmë se mund të jetë helmim nga uji.
Me të vërejtur fluksin e qytetarëve që iu kanë drejtuar QKMF-së për trajtim mjekësor, Berisha u shpreh se kanë njoftuar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, e të cilët kanë marrë analizat kimike dhe ato mikrobiologjike.
Berisha: Simptomat e pacientwve tw pranuar nw QKMF nw Deqan ishin tw njejta
Pacientët kanë ardhur me simptoma të njejta, me marramendje, kanë qenë me dhimbje barku, me jashtëzqitje, me temperaturë dhe ne na ka shtyrë të dyshojmë se prej cka është kjo. NË bazë të anamnezës së pacientëv, në bazë të regjionit të cilit janë paraqitur pacientët ne kemi dyshuar se mos mund të jetë kjo gjendje hidrike dhe menjëherë e kemi alarmuar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, e kemi njoftuar kryetarin e Komunës, drejtorinë për Shëndetësi dhe janë sensibilizuar të gjitha organet relevante”, thotë ai.
Sipas tij, asnjë prej pacientëve nuk ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa theksoi se ditën e sotme ka pasur një fluks më të madh të fëmijëve që kanë kërkuar shërbime shëndetësore.
Berisha: Numri i pacientëve fëmijë është rritur
“Numri i fëmijëve sot është rritur pak më shumë, për shkak se të shtunën dhe të dielën nuk ka punuar pediatri, sot pediatri më referoi se është një numër goxha i madh edhe i fëmijëve. Nuk ka pasur pacientë të cilët kanë qenë rëndë. Prej 823 rasteve shërbimet që ne i kemi ofruar vizitave mjekësore, 22 i kemi referuar në Spitalin Regjional të Pejës, të cilët nuk kanë qenë vetëm me këtë simptomatologji, ata kanë qenë edhe me sëmundje të tjera kronike”, shprehet ai.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka kryer analizat kimike sipas të cilave uji është në rregull, megjithatë Berisha thotë se vetëm këto analiza nuk e heqin dyshimin se helmimi ka mundur të vijë nga uji.
Berisha: Më rëndësi janë analizat mikrobiologjike
“Sot kemi rezultatet e mostrave kimike që janë fatbardhësisht të mira, por nuk e heqin dyshimin vetëm mostrat kimike, se me këto mostra që kemi marrë në aspektin kimik ne veç e eliminojmë dyshimin se nuk është bërë hiperklorizimi i ujit. Mirëpo për ne shumë më rëndësi në këtë rast është analizat mikrobiologjike të cilat janë në përpunim e sipër”, thotë Berisha.
Lidhur me rastin, sot ka mbajtur konferencë për media edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili tha se nuk do të ndalen derisa të vijnë tek e vërteta se si ka ardhur deri tek helmimi i qytetarëve.