Dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe afaristi Ridvan Muharremi, të cilët u arrestuan dje si të dyshuar për keqpërdorim të rezervave shtetërore, sot dalin para gjykatës.
Kjo është seanca e parë që zhvillohet ndaj tyre, pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në mbajtje.
Pas pak minutave pritet të fillojë seanca dëgjimore për të vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.
Kujtojmë se të tre këta u arrestuan pas publikimit të disa incizimeve ku u ngritën dyshime për keqpërdorim të rezervave shtetërore që ndërlidhen me vajin dhe grurin.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, ani pse shprehet e bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe sipas saj, asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to.