Eugen Cakolli, nga Instituti i Kosovës për Demokraci, ka shkruar në lidhje me vonesat e shumta në numërimin e votave si dhe dyshimet për manipulime.
Ai ka thënë se pavarësisht kamerave, televizorëve, vëzhguesve, kostos dukshëm më të lartë dhe vonesave në përpunimin e rezultateve, këto zgjedhje po tregojnë se problemi vazhdon.
Cakolli theksoi se nga rinumërimi i votave të kandidatëve të LDK-së në Vushtrri, vetëm në 15 nga 96 vendvotimet e kësaj komune, nuk ka pasur dallime në vota.
Ndërkaq, në plot 35 vendvotime, diferencat janë mbi 10 vota.
Eugen Cakolli, shtoi se gjithashtu se problemi qëndron tek ata që numërojnë votat e që sipas tij duhet të digjitalizohet procesi.
“Edhe nëse nuk vërtetohet në asnjë komunë tjetër, ky rast tregon se problemi nuk qëndron as tek mënyra dhe as tek vendndodhja e numërimit, por tek ata që numërojnë dhe procesojnë rezultatet. Prandaj, është e domosdoshme që të largohemi nga numërimi dhe përpunimi manual i votave. Një zgjidhje mund të jetë digjitalizimi i numërimit përmes skanimit të fletëvotimeve, të plotësuara me kimik unik – opsion që garanton integritetin por edhe shpejtësinë e procesit”, tha ai. /Gazeta Enigma