Biznesmenit Ridvan Muharrremi tashmë i është i ngritur një aktakuzë për vjedhje të rrymës në biznesin e tij.
Aktakuza është ngritur më 6 gusht të 2021-ës derisa dëmi që Prokuroria pretendon se i është bërë KEDS-it është 2 mijë e 473 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Ridan Muharremi po akuzohet se më datë 19 nëntor 2020 në furrën e tij, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme ka shfrytëzuar njësorët e energjisë elektrike paautorizim të furnizuesit në këtë rast KEDS.
Sipas aktit akuzues me këtë Muharremi ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme deri 3 vjet burgim.
“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me avokatin e Muharremit, Mahmut Halimin, i cili ka thënë se nuk e përfaqëson Muharremin në këtë lëndë por vetëm në rastin e rezervave shtetërore
“S’kam lidhje me këtë rast të Ridvanit”, ka thënë Halimi.
Ridvan Muharremi aktualisht është në paraburgim pasi po dyshohet nga Prokuroria Speciale se ka ndërmjetësuar kundërligjshëm në blerjen e rezervave shtetërore nga Turqia dhe Polonia. Ai dyshohet se iu ka ndihmuar dy zyrtarëve shtetërorë: Hafiz Gara, Irfan Lipovica , që të shkelin ligjin kur kanë porositur blerjen e rezervave shtetërore.