Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.
Kështu ka ndodhur së fundi në Prishtinë, ku një person i dyshuar për disa vjedhje të rënda u arrestua gjatë ditës së djeshme.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ardit Cakiqi, 22-vjeçar.
Cakiqi dyshohet se ka kryer së paku gjashtë vjedhje të rënda në lokacione të ndryshme në kryeqytet nga muaji nëntor i vitit të shkuar deri në mars të këtij viti.
Pas arrestimit, i riu është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale ‘Vjedhje e rëndë’ dhe ‘Vjedhje e rëndë në tentativë’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.