Të dielën u raportua për një rast të ngacmimit seksual që dyshohet të ketë ndodhur në ashensorin e një banese në rrugën “Beteja e Loxhës”, në Pejë. Një burrë i moshës 45-vjeçare po dyshohet se e ka ngacmuar një vajzë 14-vjeçare dhe i njëjti tashmë ndodhet në ndalim policor.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Sejdi Duçaj, i cili është denoncuar në Polici nga viktima, nën dyshimet se e ka ngacmuar seksualisht.
Sipas informacioneve të para që ka Sinjali, 45-vjeçari po dyshohet se derisa ndodhej në lift bashkë me të miturën, ka nisur ta ngacmojë seksualisht, duke i shkaktuar frikë e shqetësim.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që ta denoncojë rastin në Polici, ku ka rrëfyer detajet e asaj që ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, Duçaj është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.