Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla zakonisht raportohen nga zyrtarët e bankave, teksa ky fenomen vërehet lehtë edhe në rrjete sociale ku faqe të ndryshme ofrojnë ‘shitjen’ e parave false.
Për një vepër të tillë ka rënë në pranga dje një person në fshatin Polac të Skenderajt.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Dardan Zenelin, 26-vjeçar, i cili dyshohet se po shpërndante para false në komunën e Skenderajt.
I njëjti është ndalur nga njësitë policore dhe gjatë kontrollit të veturës së tij është kapur në flagrancë me rreth 500 bankënota nga 5 euro false, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, Zeneli është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Falsifikim i parasë’
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku bëhet e ditur se gjatë bastisjes së të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy pajisje tjera të dyshimta.
“Është raportuar se një person i dyshuar është duke shpërnda bankënota të falsifikuar. Lidhur me rastin janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar meshkuj ksovarë ku në veturën e njërit të dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar bankënota të dyshuara prej 5 euro (475X5) me vlerë 2375 euro, ndërsa gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarit tjetër janë gjetur dhe konfiskuar dy pajisje të dyshuara për skanim (skaner), një llaptop, 170 monedha euro (3×20, 8×10, 6×5), 400 denarë (4×10). Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kujtojmë se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.