Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.
Kështu ka ndodhur së fundi në Prishtinë, pasi një person dyshohet se kreu vjedhje në garazhin e një banese në rrugën ‘Jusuf Gërvalla’.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 20-vjeçari është identifikuar pas gati një muaji në arrati dhe i njëjti tashmë është arrestuar.
Ai dyshohet se ka vjedhur disa drita solare në vlerë të rreth 6 mijë eurove.
Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorim i pasurisë së huaj.