E aksidentuan dhe më pas ia morën mbi 30 mijë euro, detaje nga vjedhja e rëndë në Prishtinë

E aksidentuan dhe më pas ia morën mbi 30 mijë euro, detaje nga vjedhja e rëndë në Prishtinë

Një ngjarje jo fort e zakontë ka ndodhur pasditen e së enjtes në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, ku pas një aksidenti në trafik, shoferi u përball edhe me një vjedhje të rëndë. Dy persona të panjohur për të, ia kanë marrë nga vetura çantën brenda së cilës kishte një shumë të majme parash.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë me dije se të dyshuarit kanë ikur me veturë në drejtim të panjohur.

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas një aksidenti në trafik, dy persona të panjohur nga vetura e tij i kanë vjedhur një qese me një shumë parash dhe me veturën e tyre janë larguar në drejtim të panjohur. Viktima ka pranuar tretman mjekësor si pasoje e aksidentit, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë Gazeta Sinjali ka mësuar detaje lidhur me rastin, ku viktimë është A.Th., 44-vjeçar.

Bazuar në dëshminë e tij, në momentin që ka ndodhur aksidenti, ai ka pasur në veturë një çantë brenda së cilës ndodheshin rreth 30 mijë e 500 euro para të gatshme. Sipas tij, të dyshuarit menjëherë janë larguar me veturën e tyre dhe viktima u është vënë pas me automjetin e tij.

Në ndjekje e sipër, viktima e ka goditur disa herë me veturë – veturën e tyre, por që nuk ka arritur që t’i ndalojë.

44-vjeçari ka marrë lëndime si pasojë e aksidentit dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen se si ka ndodhur.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje grabitqare’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të zbardhen rrethanat e rastit dhe të kapen të dyshuarit.

Related Articles