E akuzuara për mashtrim me viza, Valbonë Peci, në paraqitjen e mbrojtjes së saj ka deklaruar se kishte qenë ndërmjetësuese për të gjetur aplikantë për rregullimin e vizave të punës për një kompani suedeze, ndërsa tha se nuk kishte pasur ndonjë autorizim për këtë.
Këtë deklarim, e akuzuara e dha në vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor të premten, në rastin ku po ngarkohet se gjatë vitit 2020 dhe 2021, nga 29 persona ka pranuar 61 mijë e 600 euro, të cilëve iu kishte premtuar rregullimin e vizave suedeze.
Në këtë seancë, të pranishëm ishin prokurori Sllobodan Bakiq, e akuzuara Valbonë Peci me mbrojtësin e saj, avokatin Armend Krasniqi, si dhe të dëmtuarit Ismajl Ismajli, Fidan Veseli, Kastriot Peci, Jetmir Ismajli dhe Liridon Hasani.
Në seancë u dëgjua i dëmtuari-dëshmitari Ismajl Ismajli, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Bakiq, se si ishte njoftuar me të akuzuarën Peci dhe cilat kishin qenë kushtet e marrëveshjes së tyre për rregullimin e vizës suedeze, deklaroi se kishte bërë marrëveshje verbale me të, duke ia dhënë 1 mijë e 250 euro, ndërsa i kishte thënë se viza do të rregullohet për rreth gjashtë muaj.
Ai deklaroi se pasi kishin kaluar disa muaj, kishte ardhë ta takojë të akuzuarën Peci në Mitrovicë duke e pyetur për procedurën e vizës, ndërsa e njëjta i kishte thënë se është në proces dhe mund të ketë vonesa për shkak të situatës pandemike.
Dëshmitari Ismajli deklaroi se më pas e kishte kontaktuar me telefon, ndërsa e akuzuara Peci i kishte thënë se terminin në Ambasadën e Suedisë ia ka caktuar brenda muajit, ndërsa duhej t’ia paguante edhe 1 mijë e 250 euro të tjera.
“Unë i kam thënë më jep ndonjë dëshmi të konfirmimit të terminit në ambasadë, në çfarëdo forme që ti e ke pranuar, edhe unë e realizoj pjesën tjetër të pagesës, por përgjigja e saj ka qenë ose duhesh tash menjëherë me pagu pjesën tjetër të parave, ose hajde merri paratë që tashmë i ke paguar, ndërsa konfirmimin e terminit nuk ma ka dhënë”, ka deklaruar dëshmitari Ismajli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai shtoi se ishin marrë vesh që brenda një muaji t’ia kthejë paratë, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur pasi nuk kishte kaluar shumë kohë dhe e akuzuara Peci ishte arrestuar.