Një përfshirje të mundshme të Kosovës në konfliktin mes Palestinës dhe Izraelit po e konsideron të panevojshëm dhe të dëmshëm, politologu dhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, raporton Ekonomia Online.
Lidhur me përplasjet e dhunshme të fundit izraelito-palestineze, Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk ka reaguar për të shprehur çfarëdo qëndrimi.
Sadiku ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se marrja e një pozicioni nga Kosova ndaj këtij konflikti do t’i kushtonte në të ardhmen, andaj sipas tij Ministria e Punëve të Jashtme duhet të tregohet neutrale në këtë situatë.
“Kosova nuk duhet të marrë ndonjë pozicion të caktuar sepse dihet që Kosova është shtet që ende nuk e ka përmbushur shtetësinë e saj, është ende e papranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe zakonisht marrja e një qëndrimi të caktuar në konfliktin Izrael-Palestinë nënkupton që ti je aleate e njërës palë dhe kundërshtare e palës tjetër, për çka Kosovës mund t’i kushtojë në të ardhmen për shkak se Kosova ende ka nevojë për miq dhe njohje të reja të cilat janë shtete që kanë raporte të mira me Izarelin apo Palestinën”.
“Konsideroj që Ministria e Punëve të Jashtme duhet të ketë një qëndrim neutral dhe mos të përfshihet aq shumë lidhur në konfliktin në fjalë veçse duhet të dënojë dhunën në civil pavarësisht se ndaj kujt bëhet, janë ata qytetarë palestinez apo izraelit”, është shprehur ai.
Tensionet dhe më pas përleshjet ndërmjet forcave të Izraelit dhe palestinezëve në Jerusalemin Lindor, të cilat në ditët e fundit janë përshkallëzuar në luftime të ashpra, kanë nxitur reagime në Kosovë, kryesisht përmes rrjeteve sociale. Madje, të premten, më 14 maj, në Prishtinë u mbajt një marsh mbështetës për palestinezët, ku u kërkua që të ndalen luftimet dhe të lirohen të burgosurit.