Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Gjakovë, ku një person është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në rrugën ‘Motrat Bejtullahu’. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes, teksa Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.
Sinjali mëson se viktima është Idriz Alija, 49-vjeçar.
Alija u gjet në banesën e tij ku ndodhej vetëm, e që shqetësimet për gjendjen e tij u rritën pasi ai s’përgjigjej në telefonatat e të afërmëve.
Rastin për Sinjalin sot gjatë ditës e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Rreth orës 13:00 është raportuar se viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jete, në banesën e tij në rrugën “Motrat Bejtullahu” në Gjakovë (personeli mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe aktualisht janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Me vendim të prokurori të shtetit është iniciuar rast “hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML”, tha Elezaj.