Çmimi i naftës bruto Brent po tregtohet mbi 84 dollarë për fuçi, kjo pasi Arabia Saudite, Iraku dhe disa shtete të Gjirit thanë të dielën se po ulnin prodhimin me më shumë se një milion fuçi naftë në ditë.
Përveç kësaj, Rusia tha se do të zgjasë uljen e saj prej gjysmë milioni fuçi në ditë deri në fund të vitit. Megjithatë, SHBA-ja ka bërë thirrje që prodhuesit të rrisin prodhimin në mënyrë që të ulin çmimet e energjisë.
Çmimet e naftës u rritën kur Rusia pushtoi Ukrainën, ndërsa vitin e kaluar ndikuan në inflacion duke ushtruar presion mbi financat e shumë familjeve.
Yael Selfin, kryeekonomiste në KPMG, paralajmëroi se rritja e çmimit të naftës mund ta vështirësojë betejën për të ulur inflacionin. Megjithatë, ajo tha se rritja e çmimeve të naftës nuk do të çojë domosdoshmërisht në fatura më të larta të energjisë për familjet.
Ndikimi më i madh do të jetë në kostot e transportit, tha ajo, pasi mund të shohim rritje të çmimit të karburantit.
Duke iu përgjigjur shkurtimeve të fundit, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA tha:“Ne nuk mendojmë se shkurtimet janë të këshillueshme në këtë moment duke pasur parasysh pasigurinë e tregut – dhe ne e kemi bërë të qartë”.
Ulja e prodhimit po bëhet nga anëtarët e prodhuesve të naftës Opec +. Grupi përbën rreth 40% të të gjithë prodhimit të naftës së papërpunuar në botë. Arabia Saudite po redukton prodhimin me 500,000 fuçi në ditë dhe Iraku me 211,000. Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Algjeria dhe Omani po bëjnë gjithashtu shkurtime.
Një zyrtar i ministrisë saudite të energjisë tha se masa ishte “një masë paraprake që synon të mbështesë stabilitetin e tregut të naftës”, tha Agjencia zyrtare e Shtypit Saudite.