Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaji të pandehurit A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar.
Sipas njoftimit të Gjykatës, “Më datën 13.10.2025, rreth orës 07:45, në rr. “Bardhyl Qaushi”, i pandehuri me dashje seriozisht kanos dhe më pas e sulmon fizikisht zyrtarin policor në lidhje me punën e tij zyrtare, të dëmtuarin Gj. H., në atë mënyrë që ditën kritike, derisa i pandehuri ndodhej në Motel “M.”, përballë vendit të ngjarjes ku kishte ndodhur një aksident trafiku dhe i dëmtuar ishte vëllai i tij, S. L., i revoltuar, derisa zyrtarët policorë ishin duke u marrë me rastin, i njëjti i afrohet zyrtarit policor Gj. H. dhe, duke bërtitur, e godet me grusht në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime trupore, ndërsa gjatë intervenimit lëndime në dorë pëson edhe zyrtari policor I. R., me ç’rast të dëmtuarve u shkakton lëndime trupore”
“Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ”Sulmi ndaj personit zyrtar” e sanksionuar me nenin 402 të Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtarja e procedurës paraprake Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke iu shmangur procedurës, apo duke e përsëritur veprën penale.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 13 tetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 12 nëntor 2025”, thuhet në njoftim.